Vlera e muajit muharrem

Falenderimi i takon Allahut, përshëndetjet qofshin mbi pejgamberin Muhamed (alejhi selam).
Allahu thotë në Kuran: “Kush madhëron atë që Allahu e bëri të shenjtë, ajo është më e dobishme tek Zoti i Tij” Haxh, 30. 
“Kush madhëron dispozitat e Allahut, ajo është prej shenjave të dobisë së zemrës.” Haxh, 32.
Allahu ka lehtësuar për robërit e Tij të mirat dhe ka hapur dyert e Tij të mëshirës dhe i ka begatuar me disa kohë që në to ka mundësi të fitohen shumë të mira. E ka bërë shpërblimin e madh për një punë të vogël. Kjo, nga fisnikëria dhe begatia e Tij ndaj nesh, që muslimani të kompensojë atë që i ka kaluar dhe të pastrohet nga gjynahet.
Prej kohës që njeriu mund të fitojë shumë të mira është edhe dita e ashurës (dita e dhjetë e muajit muharrem). Kjo është një përmbledhje rreth vlerës dhe historikut të kësaj dite, si dhe disa nga rregullat e kësaj dite. E lusim Allahun që të na bëjë dobi me këtë shkresë dhe të jetë argument për vlerën e kësaj dite!
Allahu thotë në Kuran:
“Tek Allahu numri i muajve është dymbdhjetë (sipas hënës) ashtu si është në librin e Allahut prej ditës kur i krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë. Kjo është fe e drejtë. Pra, mos e ngarkoni me mëkate veten tuaj në këta muaj.” Teube, 36.
Pejgamberi e ka bërë këtë muaj ndër muajt më të vleshëm për agjërim pas muajit të Ramazanit.
Transmetohet nga Ebu Hurejre se Pejgamberi ka thënë: “Agjërimi më i mirë pas ramazanit është muaji i Allahut muharrem, ndërsa namazi më i mirë, pas namazeve të obligushme, është namazi i natës.”
Ibn Rexhepi në librin e tij “Letaiful mearif” ka thënë: “Është thënë se të cilësuarit e këtij muaji, si muaj i Allahut, tregon shenjtërinë e këtij muaji dhe se nuk i takon askujt ta ndrrojë këtë muaj me ndonjë muaj tjetër, siç veprohej në kohën e injorancës ku i lejonin disa gjëra në këtë muaj. Ndërsa në vend të tij vendosnin muaj tjetër.
Gjithashtu Ibën Rexhepi në të njejtin libër thotë se selefët i madhëronin tri dhjetëshet: dhjetë netët e fundit të ramazanit, dhjet ditët e para të muajit dhulhixhe dhe dhjetë ditët e para të muajit muharrem.
Neveviu në sqarimin e “Sahihul muslim” ka thënë: “Fjala e pejgamberit se agjërimi më i vlefshëm pas ramazanit është muaji muharrem, qartëson se ai është muaji më i vleshëm pas ramazanit për agjërim edhe pse në transmetime thuhet se pejgamberi më shumë ka agjëruar në muajin shaban, por përgjigjja rreth kësaj është se pejgamberi ose i është bërë e ditur vlera e këtij muaji ne kohën e fundit të tij, ose në këtë muaj ka patur ndonjë arsye ose ka qenë i sëmurë, ose ka qenë udhëtar, por kjo nuk do të thotë se agjërimi i pejgamberit më shumë në muajin shaban, është më i vlefshëm se muaji muharrem.
Ashura (dita e dhjetë) dhe ngjarja e saj historike
Nga Ibën Abasi trasnmetohet se kur pejgamberi u shpërngul në Medine i pa çifutët duke agjeruar ditën e ashurës dhe i pyeti për këtë ditë. Ata u përgjigjën se kjo është një ditë e mirë, në këtë ditë Allahu e shpëtoi Musain dhe popullin e tij prej armikut të tyre dhe Musai e ka agjëruar këtë ditë. Pejgamberi tha: “Ne kemi më shumë të drejtë për Musain se sa ju dhe e agjëroi pejgamberi dhe urdhroi të agjërohet.” (Transmeton Buhariu)
Në transmetimin e Muslimit thuhet: “Kjo është ditë e madhe, e shpëtoi Musën dhe popullin e tij, ndërsa e fundosi faraonin dhe popullin e tij.” Thënia e pejgamberit “E ka agjëruar Musai këtë ditë” në transmetimin e Muslimit është shtuar se e ka agjëruar si falenderim ndaj Allahut. Ndërsa në transmtimin e Buhariut është shtuar se pejgamberi ka thënë: “Ne e agjërojmë këtë ditë si madhërim për të.”
Po ashtu, në muajin muharrem ka ndodhur lufta e Kadisijes, lufta mes muslimanëve dhe zjarrputistave, ku muslimanet ngadhënjyen.
Në muajin muharrem Allahu e shpëtoi Musain (alejhi selam) prej faraonit dhe e fundosi atë me ushtrinë e tij.
Në muajin muharrem, sikurse që kanë ndodhur ngjarje që e gëzojnë muslimanin, po ashtu kanë ndodhur ngjarje që e pikëllojnë dhe e mërzitin atë. Në këtë muaj tatarët e sulmuan dhe e pushtuan Bagdatin dhe vranë afër 2 milion muslimanë, duke vrarë edhe udhëheqësin e muslimanëve. Po ashtu, në këtë muaj Bagdati ka rënë në duar të pabesimtarëve nga armiqtë Allahut në këtë kohë.
Po ashtu, në muajin muharrem ka ndodhur lufta në Kerbela, si dhe vrasja e Husejnit, nipit të pejgamberit (alejhi selam). Pra, në këtë muaj kemi përgëzime që kanë ndodhur në favor të muslimanve, por kemi edhe pikëllime që u kanë ndodhur muslimanve. Dhe kështu Allahu i ndërron ditët njera pas tjetrës.
Allahu thotë:
“Ne këto ditë i ndërrojmë mes njerëzve, për t’i ditur tek Allahu se ata që besuan dhe për t’i zgjedhur disa prej jush prej dëshmorëve.” Ali Imran, 140.
Agjërimi i muajit muharrem ka qen i njohur edhe në kohën e injorancës, para dërgimit të Pejgamberit. Transmetohet nga Aishja se ajo ka thënë: “Populli i Mekës e agjëronin këtë ditë.”
Kurtubiu ka thënë: “Ndoshta kurejshët janë mbështetur për këtë ditë në atë që ka qenë tek Ibrahimi (alejhi selam). Po ashtu, është vërtetuar se pejgamberi ka agjëruar këtë ditë në Mekë para se të shpërngulej në Medine. Pasi që u shpërngul në Medine i pa çifutët duke e festuar këtë ditë dhe i pyeti për shkakun ata iu përgjigjën, sikur që e përmendëm më herët në hadithe. Ai urdhëroi që të kundërshtohen ata në këtë, sikur që ka ardhur në hadithin e Musait se çifutët këtë ditë e kanë pas festuar, ndërsa në transmetimin e Muslimit: “Çifutët e madhëronin ditën e ashurës dhe e festonin atë.”
Gjithashtu, në transmetimin e Muslimit thuhet se çifutët e Hajberit (fise në Medine) e festonin këtë ditë, ndërsa gratë e tyre zbukuroheshiun në këtë ditë.
Shaban Murati
www.sinqeriteti.com

Komentet

comments

Comments are closed.

Scroll To Top