Të drejtat e prindërve janë më të lartat në pikëpamje të Islamit, pas kryerjes së të drejtave që i kemi ndaj All-llahut të Lartësuar. Kur’ani Famëlartë në listën e prioriteteve të tij, detyrat ndaj prindërve i vë menjëherë pas detyrave ndaj të Madhit. Ai i urdhëron ithtarët e vet që të jenë të sjellshëm ndaj prindërve dhe t’u binden atyre.
Edhe nëse janë të moshuar e jetojnë me ty, asnjëherë nuk duhet t’u thuash as një fjalë të pahijshme e të neveritshme. Duhet të jesh i nënshtruar në rast se je duke bërë bisedë me ta dhe gjithmonë të lutesh që All-llahu t’i mëshirojë.
 Duhet t’u bindesh urdhrave të tyre, duhet të kujdesesh për rehatinë e tyre dhe nuk bën të rebelohesh e të sillesh me arrogancë ndaj tyre. Në bazë të një hadithi thuhet se prindërit tu janë Parajsa dhe Ferri yt, që do të thotë se nëse i trajton prindërit me mirësi e sjellje të mira, mund ta fitosh Parajsën, e në të kundërtën, pra, nëse sillesh me arrogancë a nuk u bindesh atyre, mund ta fitosh Ferrin.
Një tjetër hadith e përshkruan njeriun më fatkeq duke thënë se ai meqenëse i ka prindërit e moshuar, ai ka mundësi t’u shërbejë atyre e t’i trajtojë me mirësi dhe në këtë mënyrë t’i fitojë të mirat e All-llahut të Lartësuar, mirëpo ai nuk e bën këtë dhe si i tillë ai konsiderohet i dështuar. Mosbindja ndaj prindërve është mëkat i madh dhe i Plotfuqishmi mund t’ia falë robit të Vet çdo mëkat që dëshiron Ai, në përjashtim të shirkut dhe mosbindjes ndaj prindërve.
Fëmijët gjithmonë janë të detyruar të përkujdesen për prindërit e vet, po sidomos kur ata janë në moshë të thellë e kur nuk kanë mundësi t’i kryejnë punët e veta, e në rast kundërvajtjeje, ata duhet të shtrëngohen nga shteti që t’i mirëmbajnë prindërit si duhet. Ligji islam i trashëgimisë i bën prindërit pjesëtarë të pronës së lënë nga fëmijët e tyre, kuptohet, nëse vdesin para prindërve.
Në mes të prindërve, pozita e së ëmës është më e lartë në krahasim me të atit në lidhje me kujdesin dhe bindshmërinë. Kur’ani Famëmadh në mënyrë të veçantë e nënvizon përkushtimin e nënave lidhur me dhimbjet e tyre të shtatzënisë dhe sakrificat që i bëjnë ato për t’i edukuar fëmijët e vet.

Argumente nga Kur’ani

1) “Të pyesin se ç’do të japin. Thuaj: “Atë që jepni prej pasurisë jepni për prindërit, jepni për të afërmit, për bonjakët, për të varfërit, për kurbetçinjtë”! E çdo të mirë që punoni, s’ka dyshim se All-llahu e di!” (Kur’an, 2:215).

2) “All-llahu ju urdhëron për (çështjen e trashëgimit) fëmijët tuaj: për mashkullin hise sa për dy femra; nëse janë (trashëgimtare) vetëm femra, dy e më shumë, atyre ju takojnë dy të tretat e pasurisë që trashëgohet; nëse është një femër, asaj i takon gjysma; për prindërit, për secilin nga ata, ju takon e gjashta nga ajo që ka lënë (i vdekuri) nëse ka fëmijë; e në qoftë se (i vdekuri) nuk ka fëmijë e atë e trashëgojnë (vetëm) prindërit, atëherë nënës së tij i takon një e treta; në qoftë se ai (i vdekuri) ka vëllezër, nënës së tij i takon vetëm një e gjashta, (kjo e drejtë në trashëgim bëhet) pasi të kryhet testamenti (vasijeti) që ka lënë dhe pasi të lahet borxhi; ju nuk dini se kush është më afër dobisë suaj, prindërit tuaj ose fëmijët tuaj. (Ky përcaktim është) Urdhër nga All-llahu. Vërtet All-llahu është më i Dijshmi, më i Urti!” (Kur’an, 4: 11).

3) “Adhurojeni All-llahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send! Silluni mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmve, ndaj jetimëve, ndaj të varfërve, ndaj fqiut të afërt, ndaj fqiut të largët, ndaj shokut pranë vetes, ndaj udhëtarit të largët dhe ndaj robërve. All-llahu nuk e do atë që është kryelartë dhe atë që lavdërohet!” (Kur’an, 4: 36).

4) “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of – oh”, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta, respektuese)! Dhe në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: “Zoti im! Mëshiroi ata të dy, sikurse më edukuan mua kur isha i vogël”!” (Kur’an, 17: 23-24).

5) “Ne e kemi obliguar njeriun me punë të mira ndaj prindërve të vet, e nëse ata të dy përpiqen të shpijnë ty që të më përshkruash Mua shok (zot tjetër) për çka ti nuk di asgjë, atëherë ti mos i respekto ata! Kthimi juaj është tek Unë, e Unë do t’ju njoftoj për atë që keni vepruar!” (Kur’an, 29: 8).

6) “Ne njeriun e kemi urdhëruar për (sjellje të mira ndaj) prindit të vet, sepse nëna e vet atë e barti me mund pas mundi dhe pas dy viteve ia ndau gjininë. (E porositëm) Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve tu, pse vetëm tek Unë është kthimi juaj! E nëse ata të dy tentojnë që ti të më përshkruash Mua shok, për çka ti nuk ke kurrfarë fakti, atëherë mos i respekto ata, po në çështjet e jetës së kësaj bote të kesh mirëkuptim ndaj tyre, e ti ndiqe rrugën e atij që është i kthyer kah Unë, mandej kthimi juaj është tek Unë, e Unë do t’ju njoftoj për atë që keni punuar!” (Kur’an, 31: 14-15).

7) “Ne e urdhëruam njeriun t’u bëjë mirë prindërve të vet, ngase nëna e vet me mundim e barti dhe me vështirësi e lindi, e bartja e tij dhe gjidhënia e tij zgjat tridhjetë muaj (e ai vazhdon të jetojë) derisa ta arrijë pjekurinë e vet dhe kur t’i mbush dyzet vjet ai thotë: “Zoti im, më inspiro mua që të falënderoj për të mirën Tënde që ma dhurove mua dhe prindërve të mi, që të bëj vepra të mira që i pëlqen Ti dhe m’i bën të mirë pasardhësit e mi, unë pendohem te Ti dhe unë jam me muslimanët!” (Kur’an, 46: 15).

Argumente nga Sunneti

1. Ebu Hurejra (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se një njeri erdhi te Pejgamberi alejhi selam dhe e pyeti: “O i Dërguari i All-llahut! Kush është personi ndaj të cilit kam më shumë obligime?”, e Pejgamberi alejhi selam i tha: “Nëna yte”, “e pastaj – tha ai – kush është?”, Pejgamberi alejhi selam përsëri i tha: “Nëna yte”, “e pastaj – vazhdoi ai – kush është?”, Pejgamberi alejhi selam për të tretën herë i tha: “Nëna yte”, e kur e pyeti për të katërtën herë, atëherë i tha: “Babai yt”. [Transmeton Buhariu dhe Muslimi]

2. Ebu Hurejra (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi alejhi selam është shprehur: “All-llahu e poshtëroftë! All-llahu e poshtëroftë! All-llahu e poshtëroftë!”, e pastaj njëri prej të pranishmëve e pyeti për kë i thoshte ato fjalë, e ai tha: “All-llahu e poshtëroftë atë njeri që i gjen prindërit e vet të moshuar dhe nuk hyn në Xhennet!”. [Transmeton Muslimi]

3. Muavije ibën Xhehime (All-llahu e mëshiroftë!) rrëfen se Xhehime erdhi te Pejgamberi alejhi selam dhe tha: “O i Dërguari i All-llahut! Kam ndër mend të vij në luftë me ty!”, pas kësaj, Muhammedi alejhi selam e pyeti: “A e ke nënën gjallë?”, ky pohoi, ndërsa ai i tha: “Atëherë, qëndro pranë nënës tënde, sepse Xhenneti gjendet nën këmbët e saj!”. [Transmeton Ahmedi dhe Nisai]

4. Xhabiri (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Secili njeri që i posedon tri gjërat vijuese, All-llahu do t’ia lehtësojë vdekjen dhe do ta pranojë në Xhennet, e ato janë: mëshira ndaj të pafuqishmëve, ëmbëlsia ndaj prindërve dhe mirëbërja ndaj skllevërve!”.
[Transmeton Tirmidhiu]

5. Ibën Abbasi (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Nuk mund të ndodhë që një bir i dëgjueshëm ndaj prindërve t’i shikojë ata me ëmbëlsi e All-llahu mos t’ia shkruaj një haxh të pranuar për atë shikim!”. Njëri prej të pranishmëve pyeti: “O i Dërguari i All-llahut! A edhe nëse i shikon 100 herë?”, kurse ai iu përgjigj: “Po! All-llahu është më i Madhi dhe më Mëshiruesi!”. [Transmeton Bejhekiu]

6. Esma (All-llahu qoftë i kënaqur prej saj!) tregon: “Përderisa nëna ime ende ishte e paudhëzuar, erdhi tek unë për të më vizituar kur ne bojkotoheshim nga Kurejshët, e unë e pyeta të Dërguarin e All-llahut alejhi selam se a të shfaq respekt ndaj saj apo jo, kurse ai më tha që t’i shfaq respekt!”. [Transmeton Buhariu dhe Muslimi]

7. Ebu Bekri (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “All-llahu Fuqiplotë mund t’ia falë të gjitha mëkatet robit të Vet, përveç mosbindjes ndaj prindërve dhe për këtë mëkat Ai ia shpejton atij dënimin qysh prej në këtë botë!”. [Transmeton Bejhekiu]

8. Ibën Omeri (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) tregon se një njeri erdhi te Pejgamberi alejhi selam dhe e pyeti: “O i Dërguari i All-llahut! Kam bërë një mëkat të madh. A ka pendim për mua?”, pastaj Muhammedi alejhi selam e pyeti: “A e ke nënën gjallë?”, ky tha se i kishte vdekur, e kur e pyeti se a e kishte tezen gjallë, ai u përgjigj pozitivisht, atëherë Pejgamberi alejhi selam i tha: “…atëherë, trajtoje atë me mirësi!”. [Transmeton Tirmidhiu]

9. Ebu Usejd es-Sejidi (All-llahu qoftë i kënaqur prej tij!) tregon: “Ishim duke qëndruar me Pejgamberin alejhi selam, kur një njeri nga Benu Seleme erdhi te ai dhe i tha: “O i Dërguari i All-llahut! A vazhdon bindja ndaj prindërve pasi të vdesin sikurqë janë të gjallë?”, e Pejgamberi alejhi selam i tha: “Po! Duhet të lutesh për ta, të kërkosh falje te All-llahu për ta, t’i zbatosh këshillat që t’i kanë dhënë kur kanë qenë të gjallë dhe t’i nderosh miqtë e tyre e mos t’i këpusësh lidhjet me ta!”. [Transmeton ebu Davudi dhe ibën Maxhe]

Përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI 09.01.2008
shkëputur nga libri: Kodi Social dhe Moral në Islam
autor: Muhammed el-Kudri

www.sinqeriteti.com

Shpërndaje pë hatër të Allahut!

Komentet

comments