Pse janë larguar muslimanët nga praktikimi i itikafit?

Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut xhele shanuhu. Salavatet qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin salallahu alejhi ue selem, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë muslimanët që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Dihet se itikafi është sunet i Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, të cilin nuk e ka lënë derisa është ndarë nga jeta e kësaj bote. Itikafi është larguar nga jeta e muslimanëve ashtu siç janë larguar edhe shumë sunete të tjera. Kjo ka ardhur për shumë shkaqe, ndër të cilat:1. Dobësimi i imanit të muslimanëve, të cilët nga imani i tyre i dobët janë duke i lënë anash shumë sunete të Pejgamberit salallahu alejhi ue selem.

2. Dashuria për dynjanë dhe kënaqësitë e saj, aq sa njeriu nuk është në gjendje të shmanget nga ato kënaqësi as dhjetë ditë.

3. Njerëzit e kanë larguar dashurinë për xhenetin nga zemrat e tyre dhe janë dhënë pas epsheve të dynjasë, kurse disa prej besimtarëve dëshirojnë ta fitojnë xhenetin me lehtësime, pa sakrifikuar asgjë dhe për këtë ata nuk dëshirojnë të përballen me vështirësitë e itikafit.
Po ta dinin vlerën e xhenetit dhe ç’ka në të, do të sakrifikonin edhe atë që kanë më të dashur, pra veten e tyre, vetëm e vetëm për të hyrë në xhenet. Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Me të vërtetë artikulli (malli) i Allahut është i shtrenjtë, artikulli i Allahut është xheneti.” Termidhiu, kurse shejh Albani ka thënë se hadithi është sahih 2450.
Ku janë ata besimtarë të cilët pretendojnë se dëshirojnë të hyjnë në xhenet? A dëshirojnë të hyjnë në xhenet pa sakrifikuar asgjë nga vetja e tyre? Xheneti është i shtrenjtë dhe nuk ka mundësi të blihet diçka e shtrenjtë me një çmim të lirë.

4. Shumë prej besimtarëve e kanë kufizuar dashurinë ndaj Pejgamberit salallahu alejhi ue selem vetëm me gjuhët e tyre pa e vënë dashurinë e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem në praktikë, kurse ne jemi urdhëruar ta pasojmë Pejgamberin salallahu alejhi ue selem me vepër. Allahu i Lartësuar thotë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun.” (El Ahzab, 21)
Ibn Kethiri ka thënë: “Ky ajet është shembulli më i mirë i cili na urdhëron ta pasojmë Pejgamberin salallahu alejhi ue selem në thëniet, veprat dhe gjendjen e tij salallahu alejhi ue selem.
Selefët tanë janë çuditur me ata që e kanë lënë anash itikafin duke pretenduar se janë pasues të Pejgamberit salallahu alejhi ue selem.
Ibn Shihab Ez-Zeherij ka thënë: “Është për t’u çuditur më muslimanët se si e kanë lënë itikafin, kurse Pejgamberi salallahu alejhi ue selem nuk e ka lënë itikafin prej momentit kur ka hyrë në Medinë e derisa është larguar nga kjo botë.”

Pra, o vëllezër muslimanë, o ju të cilët pretendoni se jeni pasues të Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, mos hezitoni, hyni në itikaf dhe adhurojeni Allahun e Lartësuar, sakrifikoni me pak që të arrini xhenetin, të cilin Allahu e ka përgatitur për besimtarët.
E lusim Allahun subhanehu ue teala që të na i falë mëkatet tona, të prindërve tanë, të familjeve tona dhe të të gjithë besimtarëve deri në Ditën e Gjykimit!

Eroll Nesimi

www.sinqeriteti.com

Komentet

comments

WpCoderX