Obligimet e prindërve ndaj fëmijëve

Prej dhuntive të mëdha që Allahu ia dhuroi njerëzimit janë edhe fëmijët. Ata janë stoli e kësaj bote.
All-llahu, subhanehu ve teala, thotë: “Pasuria dhe fëmijët janë stoli e kësaj bote.” (El-Kehf: 46).     
All-llahu, subhanehu ve teala, me mëshirën e vet e ka mbjellur në zemrën e çdo prindi dashurinë dhe mëshirën ndaj fëmijëve për arsye se kjo dashuri dhe kjo mëshirë reflektohet në edukimin e fëmijës gjë që është farz dhe kërkohet prej tij. Obligimi për edukimin e fëmijëve në radhë të parë iu është ngarkuar prindërve, ngase ata janë shkaktarët e ardhjes së fëmijëve të tyre në këtë botë. Prindërit janë edukatorët e parë të fëmijës dhe shtëpia e prindërve është shtëpia e parë në të cilën fëmija merr mësimet e para.
I dërguari i All-llahut (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “All-llahu e mëshiroftë prindin i cili angazhohet dhe e ndihmon fëmiun e vet për të mësuar dhe për të bërë atë që është e mirë ta bëjë.”
Prindërit që i edukojnë fëmijët e tyre drejt, kanë dobi prej tyre si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër si dhe do të jenë të mëshiruar nga All-llahu.
Poashtu, Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: ”Prindërit nuk i lënë trashëgim më të mirë fëmijëve të tyre se sa edukatën e mirë.”
Prindërit duhet të kujdesen për edukimin e fëmijëve në mënyrë të njëjtë qofshin ata djem apo vajza. Mirëpo, edukimi i vajzave ka sevape më të mëdha sesa i djemve, dhe është shkak për të hyrë në Xhennet.
Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush bën sabër ndaj vajzave, i edukon ato dhe sillet mirë ndaj tyre do të jetë bashkë me mua në Ditën e Kijametit.”
Poashtu, Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kush i ka tri vajza dhe bën sabër ndaj tyre, i ushqen dhe i veshmbathë prej pasurisë që ia ka dhënë Zoti, ato do të jenë për të perde prej zjarrit të Xhehenemit.”
Pra, edukimi i vajzave bëhet perde në mes teje dhe zjarrit të Xhehenemit.

Islami e liron gruan nga barra e furnizimit dhe e mbajtjes së familjes. Kjo është përgjegjësi vetëm e burrit. Përgjegjësia kryesore e gruas është të qëndrojë në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijët. Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Gruaja është përgjegjëse për kujdesin ndaj shtëpisë së burrit të saj dhe ajo do të japë llogari për tufën e saj (fëmijët).” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).
Obligimi i prindërve ndaj fëmijëve është të kenë drejtësi ndaj tyre edhe në gjërat e tjera. Në asnjë rast nuk bën të ndodhë që prindërit ta favorizojnë një fëmijë ndaj tjetrit  dhe të bëjnë çfarëdo dallimi mes tyre, qoftë ai dallim në gjërat materiale si: dhuratat, paratë, veshmbathjet, etj.; apo në çështjet thjesht emocionale si: dashuria, kujdesi, butësia, shakatë e të ngjashme. Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Silluni drejt ndaj fëmijëve tuaj, silluni drejt ndaj fëmijëve tuaj, silluni drejt ndaj fëmijëve tuaj.” (d.m.th.: e ka përsëritur  tri herë).
Ndër detyrat themelore të prindërve ndaj fëmijëve të tyre është edhe mësimi i namazit.  Sikur që është obligim për prindërit që ta falin namazin, poashtu ata kanë obligim, që edhe fëmijët e tyre t’i mësojnë për namaz. All-llahu, subhanehu ve teala thotë: “Urdhëro familjen tënde të falë namaz, edhe ti vetë zbatoje atë !” (Ta ha:132).
Ndërsa Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Urdhëroni fëmijët tuaj të falen kur të mbushin shtatë vjet dhe, kur të mbushin dhjetë vjet, detyrojini që të falen dhe të flenë në shtretër të veçantë!”  (Hakimi dhe Tirmithiu).
Detyrë e prindërve është që fëmijët e tyre t’i emërtojnë me emra të mirë, sipas Islamit, ngase emri njeriun nuk e përcjellë vetëm prej lindjes deri në vdekje, por edhe pas vdekjes, sepse Muhammedi (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Ju në Ditën e Gjykimit do të thirreni sipas emrit tuaj. Pra, në bazë të kësaj, emërtoni fëmijët me emra të mirë!”
Kurse në një hadith tjetër thotë:
“Emërtoni fëmijët tuaj me emra të mirë, sepse edhe në Xhenet do të thirren po me ata emra.”

Prandaj, muslimani duhet t’i njeh detyrat ndaj fëmijës, e përveç atyre që përmendëm më lart, prindi duhet të therr kurban ditën e shtatë pas lindjes së tij (akika), të tregojë ndaj tij dashuri dhe butësi, t’ia sigurojë ushqimin dhe veshmbathjen, të kujdeset për arsimimin e mirë të tij, ta ushtrojë që të kryejë detyrimet, sunetet dhe rregullat ndaj Zotit, t’ia mësojë  të lexuarit e Kur’anit, etj. Muhammedi (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem) ka thënë : “Allahu i Lartësuar, atij që fëmijës së vet ia mëson drejt leximin e Kur’anit, në Ditën e Gjykimit në shenjë mirënjohjeje për këtë kujdes do t’ia varë në qafë xherdanin e nurit (të ndritshëm), kështu që të gjithë të ringjallurit do të habiten nga bukuria e tij.”
Gjithashtu, prindi duhet të kujdeset që fëmija i tij t’i zbatojë këshillat e  pejgamberit të Zotit, të kujdeset që ai të zgjedhë bashkëshortin (bashkëshorten) e duhur, ta udhëzojë drejt të mirës për bindje ndaj All-llahut dhe të Dërguarit të Tij dhe ta ruajë nga mosbesimi, mëkatet dhe e keqja në përgjithësi, sepse, vetëm në këtë mënyrë prindi e ruan fëmijën e tij nga dënimi i zjarrit të Xhehenemit.

Përgatiti: Blerta Shaqiri

www.sinqeriteti.com

Komentet

comments

WpCoderX