Nëna është më shumë se dielli, uji e ajri

Tregon Ebu Hamza, që shoqëronte Ebu Hurejren, kur ky erdhi në shtëpinë e tij, foli me zë të lartë dhe me një ton që nuk shprehte përpos se dashuri, mirënjohje, mallëngjim dhe kënaqësi. Me këtë ton hareje i dha selam nënës së tij, duke thënë: “O nëna ime, të mëshiroftë All-llahu, që më edukove dhe u kujdese për mua kur isha i vogël.” Ndërsa ajo, nëna, ia ktheu: O biri im, All-llahu të shpërbleftë me mirësitë, dhe qoftë i kënaqur me ty, ashtu siç jam e kënaqur unë që më respektove në pleqëri.” (Buhariu & Muslimi).

Nga kjo histori dhe nga kjo përshëndetje, kuptojmë qartë se me të vërtetë vetëm diçka është më e bukura dhe më e mira në botë: e ajo është nëna. Nëna bën çdo gjë për fëmijët e saj, ndërkohë që, sado të përpiqet një fëmijë, nuk arrin të bëjë atë çka bën një nënë për të.

S’ka dyshim që edukimi i fëmijëve bëhet në mënyrë graduale, kalon nëpër disa etapa, ashtu siç është shfaqja e hënës, vlera dhe shkëlqimi më i epërm i të cilës bëhen të dukshme në kohën dhe momentin e duhur; duke qenë edukuesja e fëmijëve, nëna është një shkollë e përkryer, ajo përgatit brezat e ardhmërisë. Nisur nga kjo, mund të pohojmë me të drejtë dhe me gojën plot se nëna është më shumë se dielli, uji e ajri, më shumë se tri këto komponentë bazë për të jetuar, pasi, po nuk pate edukatë, nuk ke as ndriçim në sy, zemër dhe mendje. Po nuk pate moral të mirë, nuk ke ajër të pastër dhe, oksigjeni është i pamjaftueshëm për ty. Po nuk pate dije të dobishme, je i etur dhe vuan për një pikë ujë, e uji është burimi i jetës. E, nëna e mirë i jep të gjitha këto.

Andaj, edhe sikur të kemi mundësi t’i sillemi rreth e rrotull botës, me dëshirën për ta takuar njeriun që sakrifikon më shumë dhe me kënaqësi e ndërgjegje për ne, s’do të mund të gjejmë njeriun më ideal pos nënës, sepse ajo është i vetmi njeri që na fal dashuri pa pasur kurrfarë interesi përpos së jetës sonë të lumtur dhe me mbroth.

Një përqafim, një përkëdhelje, madje, edhe një puthje e saj, jep forcë dhe kënaqësi. Jep energji dhe bën që të harrosh brengat, mërzitë, vuajtjet po edhe dhembjet që ke.

Do ta kuptosh prindin kur të bëhesh vet prind

Edhe pse shumë prindër i dëgjon duke thënë këtë fjali që tashmë ka përftuar ngjyresa thuajse sa proverbiale, po aq edhe retorike, sipas të cilave vetëm ata që janë prindër e kuptojnë më së shumti ndjenjën e prindërve dhe se ata janë syresh që përkujdesen më së shumti për prindërit, është vështirë të gjesh ose, nëse gjen, janë shumë shumë të pakët ata që e dëshmojnë këtë që thonë e që kërkon prindi. Arsyeja pse? Sepse kanë zënë vendin e nënës ose të prindërve grua / burri dhe fëmijët.

Lidhur me këtë realitet, kemi një sërë shembujsh dëshmues, duke u nisur nga azilet e pleqve, që janë të stërmbushur, pastaj shtëpitë e mbetura vetëm me pleq fillikat, ngase fëmijët jetojnë jashtë vendit, apo të ndarë prej tyre, për arsye e shkaqe të ndryshme, që kanë të bëjnë me kënaqësitë e kësaj bote dhe janë ferr për botën tjetër, nëse mbesin të tilla.

Nuk është plotësim i kërkesave dhe obligimeve prindërore vetëm një lutje drejtuar All-llahut, nëse e bëjnë këtë me sinqeritet dhe bindje të plotë, ose një përshëndetje në mëngjes dhe në mbrëmje, apo një vizitë njëherë në javë, muaj ose vit, sepse nëna kërkon më shumë dhe ka nevojë t’i ketë fëmijët pranë, edhe nëse i janë bërë ata gjyshër. Nëse duam të shfletojmë dhe të dimë rreth përgjegjësive ndaj prindërve, do të hasim në një urti që thotë; “Babai i dhuron fëmijës një vresht, por ai s’i dhuron atij as një eshkë”.

Kjo na lë të kuptojmë se prindi për fëmijën jep çdo gjë, e fëmija për prindin asgjë ose shumë pak, madje fare pak. Kjo sepse në trurin e tij ka të koduara vetëm sinjalet grua-burrë dhe fëmijë e këto nuk e lejojnë të mendojë rreth prindërve të tij.

Për ta kaluar temën më shumë rreth klimës së sotme që po mbizotëron tek ne, si dhe për të thënë se përgjegjësia ndaj prindërve më shumë u takon djemve sesa vajzave, deri me rastin e martesës së tyre, porse kjo s’do të thotë assesi se vajzat duhet të mendojnë se janë liruara plotësisht prej lutjeve, vizitave, respektit, butësisë, madje, edhe kujdesit, aq sa kanë mundësi. Në lidhje me këtë, po cekim një urti tjetër që thotë:

“Sado e mirë te jetë gruaja, ajo kurrë nuk do të arrijë ndikimin që pati nëna në jetën tënde, në formimin e personalitetit tënd, dhe në orientimin e sjelljes tënde.”

-Sot kupton pa vështirësi, mëson, dëgjon, sheh që nënat janë harruar, dhe shpesh dëgjon fjalët me të cilat shprehin dhembjet dhe mërzitë për shkak se nuk gëzojnë respekt, dashuri e afri nga fëmijët e tyre.

- Sot shumë shpesh takon çifte me fëmijët e tyre në parqe, ekskursione apo në ndonjë vend tjetër ku ata zgjedhin për ta kaluar ditën ose fundjavën për të pushuar dhe për t’u qetësuar nga ditët e lodhshme të punës, ndërsa rrallë ose fare e takon një familje të tillë që shoqërohet edhe nga gjyshërit.

- Jo rrallë dëgjon për zgjedhje të dhuratave speciale për gruan, asnjëherë ose shumë rrallë dëgjon për zgjedhjen e një dhurate speciale për nënën.

- Nëse nëna rënkon nga ndonjë sëmundje, mundohet që ta fshehë sa më shumë atë, sepse i dhimbet i biri, nuk do që ta shqetësojë, kurse ky bir e viziton një herë dhe vetëm gjatë ditës, e asnjëherë nuk del që ta shohë natën, aq më pak që t’i rrijë tërë natën mbi kokë.

- Nëse nëna ushqehet edhe me një kafshatë buke të thatë dhe, nëse ka shije, ajo këtë më me dëshirë ia jep fëmijës së saj, fëmijët jo vetëm që nuk e bëjnë këtë, po as nuk mendojnë të paktën që ta kishin këtë dëshirë që e ka nëna.

- Nëse djali i saj del në ndonjë udhëtim ose vonohet pak, nëna kurrë nuk rehatohet, as gjumin nuk e bën të rehatshëm, nga frika dhe mërzia për të, se mos po e gjen ndonjë gjë e ligë, kurse djali i saj nuk e çel telefonin të flasë me të dhe t’i tregojë sesi është, por e lë të mjaftohet me telefonatën që i përcjell nusja p.sh.

- Nëna, edhe nëse hidhërohet nga i biri, edhe nëse këtë hidhërim e shpreh në fqinjësinë e saj, prapë pendohet për këtë që ka thënë dhe përsëri të njëjtat mirësi i dëshiron të birit. Përveç kësaj, ajo i flet e para dhe njëkohësisht i ofron dashuri amnore. A thua vallë, gruaja e bën këtë, apo burri duhet të përpiqet që ta marrë me të mirë gruan?!

- Kur nëna të duhet aq shumë, siç e thotë ajo pjesë e njerëzve që cituam më lart, të tingëllon e pabesueshme kur dëgjon për çdo ditë ankesat e grave: “…nëna jote kështu po bën, kështu po thotë, s’po mundem ta duroj etj.”, ku të gjitha këto ankesa në të shumtën e rasteve janë cinike, urrejtje, si shkak i asaj pse nëna është pjesë në atë familje.

- Nëna, edhe nëse ndahet nga fëmijët për shkaqe të ndryshme, qoftë divorci, ose vdekje e burrit apo diçka tjetër, ajo kurrë si harron fëmijët e saj, përkundrazi, bën përpjekje vazhdimisht që t’i takojë, sepse zemrën e ka të lidhur ngushtë me ta. E nëse ka fëmijë të tjerë, ajo me të gjitha format dhe përpjekjet fut dashuri mes tyre si dhe largon urrejtje për njëri-tjetrin. Kurse gruaja, nëse ndahet, ajo harron dashurinë dhe e urren me tërë qenien e saj, e nëse ka fëmijë dhe i ka me vete, mbjell gjithnjë urrejtje për babanë e tyre, ndoshta edhe me pa të drejtë, vetëm dhe vetëm që fëmijët ta urrejnë.

Duke mos sjellë shembuj të tjerë, dhe duke mos dashur që të jetë i gjatë ky diskutim, gruaja ka vend meritor tek burri, ne e pranojmë se nuk jemi aspak kundër idesë dhe të drejtës së gruas për të zënë vendin që meriton te burri, për aq sa ia ka dhënë All-llahu, por, assesi nuk themi se gruaja duhet të ketë vend më meritor sesa nëna, sepse, nëse e themi këtë, na sfidon Kur’ani dhe hadithi i Muhammedit, alejhis-selam. Andaj, lidhur me këtë, kemi citatet kur’anore që flasin qartë dhe bindshëm:

“Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of – oh”, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta respektuese). Dhe në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: “Zoti im! mëshiroi ata të dy, sikurse më edukuan mua kur isha i vogël”.(el-Israë, 23 dhe 24).

“Zoti ynë! më fal (gabimet) mua edhe prindërve të mi, fali edhe të gjithë besimtarët ditën kur të jepet llogaria.” (Ibrahim, 41)

 “Ne njeriun e kemi urdhëruar për (sjellje të mira ndaj) prindërve të vet, sepse nëna e vet atë e barti me mund pas mundi dhe pas dy viteve ia ndau gjirin. (e porositëm) Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve tu, pse vetëm tek Unë është kthimi juaj. E nëse ata të dy tentojnë që ti të më përshkruash Mua shok, për çka ti nuk ke kurrfarë fakti, atëherë mos i respekto ata, po në çështjet e jetës së kësaj bote të kesh mirëkuptim ndaj tyre, e ti ndiqe rrugën e atij që është i kthyer kah Unë, mandej kthimi juaj është tek Unë, e Unë do t’ju njoftoj për atë që keni punuar.” (Lukman, 14 dhe 15)

Ndërsa nga kopshti i haditheve të Muhammedit, lavdërimi dhe paqja e All-llahut qofshin mbi të, do të shkoqisim vetëm disa prej tyre që flasin për temën në fjalë.

Abdullahu thotë: E pyeta të Dërguarin, alejhis-salatu ves-selam, se cila është puna më e dashur tek All-llahu, ai më tha: “Namazi në kohën e tij, pastaj respekti ndaj prindërve, pastaj xhihadi në rrugën e All-llahut”.(Buhariu).

Asimi transmeton nga gjyshi i tij që thotë: Thashë “O i dërguar i All-llahut, kush meriton më së shumti respektin? Tha: “Nëna jote”, e pastaj? Tha: “Nëna jote”, e pastaj? Tha: “Nëna jote”, i thashë: po pastaj? Tha: “babai yt, pastaj të afërmit e tjerë sipas radhës.” (Buhariu)

Ibën Abasi thotë: Erdh një burrë te i Dërguari alejhis-selam, dhe i tha: Unë shkova të fejohem me një grua, dhe ajo refuzoi, dhe kur shkoi një tjetër ajo pranoi, dhe nga xhelozia shkova e vrava atë. A ka për mua tevbe? I Dërguari alejhis-selam i tha: “A e ke nënën gjallë?” I tha: Jo. Pastaj i tha: “Atëherë pendohu tek All-llahu, dhe përpiqu që të bësh sa më shumë vepra të mira.

Dhe Ibën Abbasi e pyet: Përse e pyete nëse e kishte nënën gjallë? Përgjigjet: “Unë nuk di ndonjë punë tjetër që të afron më shumë tek All-llahu sesa respekti ndaj nënës.” (Buhariu)

Urtësia e ajeteve kur’anore dhe haditheve të Muhammedit, lavdërimi dhe paqja e All-llahut qofshin mbi të, flasin mjaft dhe shumë më tepër sesa ne, të fundit, andaj po themi një lutje që All-llahu të na e bëj pranverë të zemrës Kur’anin famëmadh dhe Sunnetin e Muhammedit, alejhis-selam, sepse vetëm atëherë do të dimë të dallojmë gjërat ashtu siç duhet dhe siç jemi urdhëruar nga All-llahu dhe i Dërguari i Tij.

www.sinqeriteti.com

Komentet

comments

WpCoderX