Mishi i njerëzve është ushqimi më i preferuar i kohës sot!

La havle ve la kuvete ila bilah.
Nuk ka mundësi të kalojë një tubim përveçse në të është ngrënë ushqim i majmë nga mishi i muslimanëve. Nuk ka pjesëmarrës që të mos ketë kafshuar mishin e ndokujt, e çdo kush merr nga një copë.
Për çudi, as nuk ngopen, as nuk bezdisen nga përsëritja e ngrënies së mishit sa herë që bashkohen, saqë era e qelbur e përgojimit nuhatet larg nga pjesëmarrësit në atë tubim.

Për ata që janë të varur nga mishi i njerëzve ju them: Me të vërtetë përgojimi është sëmundje e rrezikshme dhe shkatërruese, njëherit është edhe një veprim që i ndan të dashurit dhe vëllezërit.
Allahu i Madhëruar na ka ndaluar nga përgojimi në librin e Tij të shenjtë, ku thuhet: “O ju, që keni besuar, largojuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njeri-tjetrit, dhe mos përgojoni njëri-tjetrin, a mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Atë pra e urreni! Kini frikë nga ndëshkimi i Allahut, e Allahu është mëshirues, Ai e pranon shumë pendimin”.( Huxhurat 12).
Përgojimi është ashtu siç na e ka përshkruar Muhamedi alejhi selam: “T’i kujtosh vëllaut tënd atë që ai e urren, edhe nëse gjindet tek ai”,- e pyetën: “O i Dërguari i Allahut, nëse tek vëllau im gjindet ajo që them?-Tha:
“Nëse gjindet tek ai ajo që thua e ke përgojuar, e nëse nuk gjindet ti ke shpifur”.
Ajo çka njeriu e urren më tepër janë të metat në fizionomi, moral dhe prejardhje. .

Na përcillet nga Aishja-Allahu qoftë i kënaqur me atë- e cila thotë: “I kam thënë të Dërguarit të Allahut: Mjaft me Safijen, të mjafton që ajo është kështu e kështu, d.m.th. e shkurtër. I Dërguari i Allahut tha: “Ke thënë një fjalë, që sikur të përzihej me ujin e detit do ta përzinte”. Pra përzierja e fjalës me ujin do t’ia ndryshonte shijen dhe erën nga shëmtia”.
Përgojimi është nga mëkatet e mëdha në Islam, dhe e ndaluar-haram me konsensusin e muslimanëve. Muhamedi alejhi selam ka thënë: “Çdo musliman ndaj muslimanit e ka të ndaluar pasurinë, nderin dhe gjakun e tij”.
Thënësi dhe dëgjuesi i përgojimit janë te barabartë në mëkat, sepse dëgjuesi është shoqëruesi i thënësit.

E lusim Allahun ta udhëzojë të humburin e muslimanëve dhe t’ia qartësojë rrugën e drejtë.
O Allah, na i mbro gjuhët tona nga përgojimi, shpifja dhe gënjeshtra.
O Allah, na fal neve, prindërit tanë dhe të gjithë muslimanët kudo ku janë.

Përshtati: Valdet Kamberi

www.sinqeriteti.com

Komentet

comments

WpCoderX