Dhjetë ditët e Dhul-Hixhes, si t’i kalojmë ato?

Vëlla dhe motër e dashur!

Allahu i Lartësuar robit të Tij vazhdimisht i dhuron dhurata  nga më të ndryshmet, njëra prej tyre është edhe dhjetëditshi i parë i muajit Dhul-Hixhe (ditët para Kurban bajramit), kështu që të përgatitemi për pritjen e tyre. Allahu është betuar në këto ditë dhe net:

“Pasha dhjetë netët! Pasha qiftin dhe pasha tekun!” (Hashr: 2-3)

Qifti është nata e dhjetë, ndërsa teku është nata e nëntë.

Ndërsa i Dërguari  i Allahut ka thënë: “Nuk ka ditë që puna tek Allahu të jetë më e dashur se gjatë këtyre ditëve  (dhjetëditshi i parë i muajit Dhul-Hixhe). I thanë: O i Dërguari i Allahut:  As xhihadi në rrugën e Allahut? Tha: As xhihadi në rrugën e Allahut, përpos njeriut i cili del nga shtëpia e tij me shpirtin dhe pasurin e tij e nuk kthehet  më aty”  (Transmeton Buhari)

“Nuk ka ditë më të dashura për ta adhuruar Allahun se sa gjatë dhjetëditëshit të parë të muajit Dhul-Hixhe, agjërimi i një dite prej tyre është sikur agjërimi i një viti, ngritja e një nate prej tyre është sikur ngritja në natën e Kadrit.” (Transmeton Tirmidhiu)

Në hadithin që e transmeton Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thuhet: “ Gjatë këtyre ditëve shpeshtojeni shprehjen e Njëshmërisë (tevhidin), madhërimin dhe përkujtimin e Allahut, agjërimi i një  prej këtyre ditëve është i barabartë me agjërimin e tërë vitit dhe puna gjatë këtyre ditëve  shumëfishohet deri në shtatëqind herë.”

Transmetohet nga Ashja, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari a.s. ka thënë: “Nuk ka ditë në të cilën Allahu liron nga zjarri më shumë se sa në ditën e Arafatit, vlera e ditëve të kësaj bote është dhjetëditshi i parë i muajit Dhul-Hixhe.”

Vëlla dhe motër e dashur!

Në kohën e provimeve punojmë dhe përpiqemi me qëllimin e vetëm që të arrijmë sa më shumë, atëherë pra pse të mos përpiqemi dhe të punojmë në këto ditë të begatshme, ditë të cilat janë më të mira gjatë tërë vitit.

Dhjetë ditët e para të muajit Dhul-Hixhe janë mirësi e madhe nga Allahu i Lartësuar, i vlerëson vetëm ai i cili e kërkon mirësinë nga Zoti i tij, andaj shfrytëzo këtë rast, programo kohën tënde, renditi punët e tua, Allahu do të lehtësojë që dita jote të jetë ditë adhurimi për Zotin tënd.

Nga mirësitë e Allahut është që Ai bëri shumë rrugë për t’i arritur mirësitë e tij, të interesohemi që në këtë aktivitet të jenë pjesëmarrës e tërë familja.

Vëlla dhe motër e dashur, para sesa të hyjë dhjetëditshi i  parë i muajit Dhul-Hixhe ulu me familjen tënde dhe medito rreth vlerave të  mëdha të cilat i kanë këto ditë, mësime dhe këshilla, bisedo me pjesëtarët e familjes rreth këtyre çështjeve:

1. Përultësia dhe nënshtrueshmëria: Në të dërguarin e Allahut, Ibrahimin dhe birin e tij, Ismailin, paqja qoftë mbi ta, kemi  shembullin më të mirë atëherë kur iu përgjigjën Zotit të tyre për therjen e Ismailit a.s. dhe dorëzimit të plotë ndaj Zotit të tyre. Gjithashtu kemi Haxheren, kur Ibrahimi a.s. e la me të birin e saj, Ismailin, në shkretëtirë e ajo tha: “Pra nuk do të na humbë”, kjo është ndjenjë e prezencës së Zotit dhe dorëzim ndaj urdhrave të Tij, gruaja dhe biri ishin ndihmëtar të babait në rrugën e Allahut.

2. Vrapimi pas punëve të mira: Ashtu sikur vrapimi i Haxherës, vrapimi në punë të mira dhe angazhim në mënyrë që të arrijmë kënaqësinë e Allahut.

3. Përgjigjja e thirrjes së Allahut dhe dorëzimit ndaj Tij: “Të përgjigjëm ty o Allah, të përgjigjëm – Leb-bejke All-llahum-me leb-bejke”, tregon nënshtrim në adhurim dhe bindje ndaj Tij.

4. Tubimi i njerëzve në ditën e Arafatit na përkujton ditën kur njerëzit do të dalin para Allahut, Ditën e Gjykimit.

5. Shejtani është armik i njeriut deri në vdekje, por nga mirësitë e Allahut është se shejtani nuk ka mundësi që njeriun ta hedhë në mëkate, por ai tek njeriu  mund të nxit vesvese, kërko mbrojtje tek Allahu nga vesveset e tij.

6. Sakrifica në rrugën e Allahut me pasuri dhe shpirt ashtu siç veproi Ibrahimi dhe biri i tij Ismaili, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ta.

Vëlla dhe motër e dashur pas diskutimit të këtyre pikave  me familjen tënde, përcakto ibadetet të cilat dëshiron t’i zbatosh, dhe përgatite programin me të cilin do të lartësohesh.

Këshilla të cilat të ndihmojnë  në vendosjen e programit:

1. Lutja në pamjen e hënës së re;

2. Falja e namazit në kohên e caktuar;

3. Dhënia e zekatit;

4. Dhënia e lëmoshës sipas  mundësisë;

5. Agjërimi i nënë ditëve të para, duke pasur parasysh vlerën e cekur më lartë, e nëse nuk mundësh atëherë ditën e tetë dhe të nëntë, e së paku të nëntën;

6. Leximi i kuranit ne dhjetë ditët e para, për çdo ditë nga tre xhuza, apo së paku gjatë tërë muajit të Dhul Hixhes;

7. Ngritja në një pjesë të natës nga dhjetë netët e sipërpërmendura  të  muajit Dhul-Hixhe, e posaçërisht natën e nëntë dhe të dhjetë;

8. Lutja e Allahut pa ndërprerë gjatë këtyre ditëve dhe netëve, veçimi i ditës së Arafatit me lutjen: “LA ILAHE ILA ALLAH VAHDEHU LA SHERIKE LEH, LEHUL MULKU VE LEHUL-HAMDU VE HUVE ALA KULI SHEJIN KADIR.” Lutjet e mëngjesit dhe  të mbrëmjes, përkujtimi i Allahut gjatë ditës, dhe dërgimi i salavateve mbi të dërguarin e Allahut, kërkimi i Xhenetit, dhe kërkimi i mbrojtjes nga zjarri;

9. Lidhjet farefisnore dhe sjellja mirë me prindërit, pajtimi i të hidhëruarve, mirësia ndaj fqinjëve, dhe gëzimi i myslimanëve, të gjitha këto janë punë të mira të cilat i shtojnë shpërblimet mbi shtatëqind herë;

10. Çdo ditë nga dhjetë ditët veço me njërin nga domethëniet e kaluara;

11. Mësoi fëmijët e tu që të kujdesën në thirrje në fenë e Allahut, duke i këshilluar që këto mësime t’ua përcjellin shokëve të tyre në shkollë, dhe përhapjen e mirësive mes njerëzve, ky është mision hyjnorë, pra që ne të jemi ftues të Allahut posaçërisht në këto ditë;

12. Me  familjen para namazit të akshamit lexoi  lutjet e mbramjes bashkërisht;

13. Para veti ke rast që përmes ibadeteve të lehta të arrish vlerën e Haxhit, thotë i Dërguari a.s. “Ai i cili e falë namazin e sabahut me xhemat, pastaj ulet në vendëfalje deri sa të lind dielli, pastaj i fal dy rekate do të jetë sikur ta ketë kryer Haxhin dhe Umren” (Transmeton Tirmidhiu)

14. Shfrytëzo këto ditë që i ke para veti dhe slogani i jetës tende le të jetë: “Të përgjigjem o Allah, të përgjigjem!”, në çdo urdhër, punë dhe përpjekje.

Në fund e lusim Allahun që të na e pranojë namazin, agjërimin, leximin e Kuranit dhe punët e mira.

Fatos Gërvalla

www.sinqeriteti.com

Komentet

comments

WpCoderX